Turqia, një hap tjetër “kundër” NATO-s

ID:20203
Published 19 Mars 2017


Turqia e presidentit aktual Reçep Tayyip Erdogan po ecën përherë e më shumë drejt shkëputjes nga kampi perëndimor duke kërkuar liri të plotë në politika e veta. Kjo po prek edhe mbrojtjen, në të cilën Turqia kontribuon jo vetëm me pozitën e vet si krahu jugor I NATO-s, por edhe me kapacitetet. Duket se kjo po ndryshon dhe për këtë flasin veprimet e Ankarasë zyrtare. Pak kohë pas grushtit të shtetit, Turqia bëri një lojë nervash me SHBA-të kur kërcënoi disa herë nxjerrjen e amerikanëve nga baza ajrore e Incirlikut, ku janë vendosur edhe armë bërthamore. Kjo çështje u la mënjanë, ndoshta në këmbim të heshtjes së SHBA për pjesëmarrjen aktive të Turqisë në Samitin e Astanas ku u sanksionua një paqe e njëanshme për Sirinë. Por së fundmi, mediat shtetërore ruse bëjnë me dije për lëvizje të reja që mund të ndryshojnë thelbësisht peizazhin e sigurisë dhe vetë rolin e NATO-s. Moska ka vendosur që të dorëzojë një sistem kundërajror S 400 një vendi anëtar të NATO-s si Turqia, e cila nga ana e vet deklaron se nuk do ta integrojë këtë sistem me forcat ushtarake të aleancës.

Procesi i dorëzimit është ende larg, por vetë fakti që ky sistem po mendohet t’u jepet vendeve si Turqia dhe Irani, ose në pozicionim e sipër kundër Perëndimit dhe interesave amerikane në këtë zonë, ose në armiqësi të hapur, flet më shumë sesa takimet dhe konferencat për shtyp. Sistemi ka rëndësi të madhe për mbrojtjen, por edhe për parandalimin e politikave agresive në drejtim të një vendi, për shkak të cilësisë së mbrojtjes që siguron. Mjafton të kujtojmë se Rusia shmangu një fushatë ajrore ndaj Damaskut zyrtar duke dorëzuar nën mbikëyqrjen e vet sistemin S 300, që është një brez më i vjetër. Dhe kjo dha efektin e vet. Kongresi amerikan dhe Parlamenti britanik refuzuan të lejojnë një sulm ajror duke çuar në pikën e sotme, kur kufijtë dhe regjimi sirian vijon të jetë në lojë. Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Fikri Işık ka deklaruar se ende është shpejt për të folur për një marrëveshje, por procesi është hapur. Deri më sot një nga vendet e NATO-s që ka blerë armatim rus është Greqia, por kjo në mënyrë proporcionale dhe për qëllime të tjera. Paradoksi i tanishëm e që flet shumë është se Rusia ofron një sistem që e bën Ankaranë të mbrojtur mirë nga ajri për vendin e dytë të NATO-s, ndërkohë që kundërshton me forcë sistemin e mbrojtjes raketore që SHBA përpiqet të installojë në Lindjen e Europës prej kohësh. Gjërat kanë ndryshuar e me sa duket po ndryshojnë shumë shpejt. Ankaraja po thyen çdo barrierë në këtë drejtim duke shtrënguar sidomos Europën sa me çështjen e emigrantëve aq edhe me pavarësinë totale në fushën e mbrojtjes./ respublica


 
 

Share on Facebook Share on Twitter