Skandali i mishit të kalbur nga Brazili: çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë?

ID:20344
Published 22 Mars 2017


Salmonela? Kimikate kancerogjene? Etiketa false?

Brazili, eksportuesi më i madh në botë i mishit të lopës dhe i pulave, është goditur nga akuza të tmerrshme të praktikave korruptive në industrinë e mishit.

Policia ka ndalur eksportet nga 21 eksportues mishi, të dyshuar se u kanë dhënë rryshfet inspektorëve për t’u nxjerrë çertifikata shëndetësore false për mishin e kalbur.

Kjo është ajo që ne e dimë - dhe ajo që nuk dimë - në lidhje me skandalin.

Substanca kancerogjene

Drama shpërtheu të premten, kur policia njoftoi se kishte shkatërruar një rrjet të korruptuar inspektorësh shëndeti dhe një fabrikë paketimi mishi.

Një nga akuzat më të frikshme u hodh në një konferencë për shtyp nga hetuesi policor Mauricio Moscardi Grillo, i cili tha se disa fabrika të përpunimit të mishit kishin përdorur “produkte kancerogjene” për të maskuar mishin e kalbur.

Pra, çfarë produktesh ishin këto?

Sipas inspektorit të Ministrisë së Bujqësisë Daniel Gouveia Teixeira, njëri prej tyre ishte acidi sorbik, i cili e përshkroi atë si “një agjent dekontaminues që përdoret për të reduktuar ndotjen bakteriale dhe për të fshehur aromat dhe karakteristikat e tjera të mishit të kalbur.”

Por Ministria e Bujqësisë insiston se acidi sorbik dhe produkte të tjera në fjalë janë në fakt prezervativë të zakonshëm që janë të sigurt nëse përdoren në sasi të lejuara me ligj.

Etiketa false

Një fabrikë e përpunimit të mishit ka ndryshuar etiketat e mishit të skaduar, për të shtyrë datat e skadencës, sipas hetuesve.

Policia publikoi një përmbledhje të një bisede mes një hetuesi dhe pronarit të fabrikës, në të cilën ky i fundit nuk shfaqi “aspak habi” për etiketat që ndryshohen në një ngarkesë të tërë të mishit të derrit, apo për ripërpunimin e mishit disa muaj të vjetër për t’u përdorur në produktet e tjera ushqimore.

Salmonela

Hetuesit gjetën edhe bakterin e salmonelës në produktet e eksportuara nga një fabrikë në pronësi të grupit të madh shumëkombësh BRF.

Policia përshkroi një telefonatë të përgjuar, në të cilën një ekzekutiv i BRF-së konfirmoi se inspektorët europianë të shëndetit kishin gjetur gjurmë të salmonelës të cilat mund të shkaktojnë helmim ushqimor, në katër kontenjerë përkohësisht të konfiskuar të mishit.

BRF tha në një deklaratë se ajo kishte vepruar në përputhje të plotë me rregullat, dhe se lloji i salmonelës së gjetur në fakt është i lejuar sipas rregullave të BE-së.

Pulë kartoni?

Një tjetër akuzë tronditëse është se BRF ka përzier pulat me karton, thënë kjo në një bisedë telefonike të përgjuar nga një punonjës.

Por qeveria dhe kompania tani thonë se ky pretendim është i rremë.

“Nuk ka asnjë lloj kartoni në produktet BRF. Kishte një keqkuptim të madh në interpretimin e regjistrimit nga policia federale”, tha kompania.

Punonjësi “ishte duke folur në lidhje me paketimin e produktit, dhe jo përmbajtjen e tij,” shtoi ajo.

Vetë Ministri i Bujqësisë Blairo Maggi e ka quajtur pretendimin “marrëzi”.

Ku gjendet mishi i lopës?

Pra, cilat vende importojnë mish brazilian?

Brazili eksportoi vitin e kaluar 5.9 miliardë $ pula dhe 4.3 miliardë $ mish lope - më shumë se çdo vend tjetër.

Dy klientët më të mëdhenj, Kina dhe Hong Kongu, kanë ndaluar importet e mishit nga Brazili.

Kili, importuesi i gjashtë më i madh i mishit brazilian, ka nxjerrë gjithashtu një ndalim.

Importuesit e tjerë të mëdhenj të mishit brazilian të lopës përfshijnë Egjiptin, Rusinë, Iranin, Italinë dhe Hollandën.

Importuesit më të mëdhenj të pulave përfshijnë Arabinë Saudite, Japoninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singaporin dhe Korenë e Jugut. / © Gazeta Impakt

Burimi: Jamaica Observer

 
 

Share on Facebook Share on Twitter