Të dhëna shokuese mbi importin e mishit të kalbur, hipopotami e bualli që shiten si prodhim vendi i freskët

ID:20349
Published 22 Mars 2017


Thellohet skandali me mishin e paketuar e të kalbur që importohej nga Brazili. BBC dhe Reuters raportojnë se vendet e BE-së dhe Kina kanë pezulluar importin e mishit që vinte nga Brazili. Sipas artikujve të botuar në ‘bbc.com’, ‘reurters.com’ dhe ‘cnbc.com’, disa nga konsumatorët më të mëdhenj të mishit brazilian kanë pezulluar importin, pas akuzave se kompanitë kanë shitur prodhime të pasigurta për vite me rradhë. Edhe Kina ka ndaluar importet e mishit të kuq nga Brazili, ndërsa Bashkimi Evropian tha se do të ndalojë blerjen nga kompanitë e implikuara në këtë skandal.

Reagimi

E ndërsa Shqipëria është një importuese e mishit të kuq në sasi jo të pakta edhe nga Brazili, autoritetet shqiptare duket se nuk kanë asnjë reagim lidhur me këtë çështje. Qiriu.net ka tentuar te mbledhë disa informacione nga zyrat e Ministrisë së Bujqësisë te cilat thanë se nuk kanë asnjë informacion apo alert për këtë ngjarje. Në vendin tonë, importi i mishit dhe nënprodukteve të tij është rreth 40- 45 mijë tonë në vit, ku përfshihet mishi i derrit, i pulës dhe i viçit.

Mishi i cili përdoret në industrinë ushqimore është i importuar në afërsisht 90 për qind të sasisë, nga të cilat, 50 për qind është mish pule. Importi i mishit të derrit është rreth 80 për qind e sasisë vjetore, por ai bëhet në formën e kafshëve të gjalla. Lidhur me këtë skandal, Zef Preçi, drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, “ACER” ka reagur në profilin e tij në Facebook, duke e lidhur në fakt këtë skandal edhe me rastet e shumta të sëmundjeve që shfaqen në vendin tonë, shkruan Qiriu.net.

“A mundet dikush nga miqtë e FB të sjellë ndonjë evidencë në lidhje me sasinë e mishit të importuar në Shqipëri nga Brazili dhe destinacionin e përdorimit për konsum direkt, për përgatitjen e sallameve dhe në ushqimin social (menca, spitale, burgje si dhe në restorante)? Ndonjë raport të AKU për këtë qëllim? Kështu do të gjejmë edhe ndonjë përgjigje për sëmundshmërinë e lartë në vend, duke përfshirë edhe rritjen e incidencës së sëmundjeve kancerogene”, - shprehet Zef Preçi.

Doganat shqiptare, portat e hyrjes së mishit kancerogjen

Çdo ditë në doganat tokësore e detare shqiptare, futen tonelata mish për konsum popullor dhe prodhime produktesh e nënproduktesh mishi. Ky mish vjen nga importi në masën 85% dhe u serviret shqiptarëve për konsum si mish vendi. Akoma më skandal është fakti, që mishi i cili vjen nga importi ka certifikimin e Ministrisë se Ekonomisë, institucionet kontrolluese të së cilës lejojnë importin e mishit kancerogjen e me hormone, duke e legalizuar atë si mish me cilësi të lartë. Dhe akoma më skandal është fakti, që ky mish importi vishet me matrikullin mashtrues “Mish vendi, cilësi e parë”. Konsumatorët shqiptarë, sipas vulës e firmës së institucioneve shtetërore të mbrojtjes së konsumatorit mendojnë se mishi është i tillë dhe jo vetëm që e konsumojnë, por e blejnë edhe me çmim si mish vendi. Nëse 1 kilogram mish importi hipopotami, apo bualli i cilësisë së tretë e të katërt blihet me 1 dollarë në tregun e huaj, në Shqipëri futet me 3 dollarë dhe në treg shitet me 8 dollarë, si mish vici, qingji, keci, apo lope vendi. Një investigim i bërë nga Qiriu.net, konfirmon se mishi në tregun shqiptar, jo vetëm që nuk është produkt shqiptar, por mbi 80% është mish importi dhe madje, nuk është as i sigurt dhe “bio” e organik, siç propagandon ministria e ekonomise dhe siç e “ha” konsumatori” shqiptar. Që prej vitit 2007, ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Shqiptar, ka dhënë leje që në Shqipëri të futet mish importi i çdo lloji, madje kjo ministri ka çertifikuar tregun vendas e të huaj, që të zhvillojë importin e mishit të prodhuar prej bagëtive të majme, por edhe bagëti të gjalla, të cilat janë lëndë e parë mishi të ushqyera me hormone, të shtuara në peshë dhe të majmura nëpërmjet hormonit kancerogjen “Boldemec LA”. Prej 20 vjetësh me pakicë dhe prej 10 vjetësh me shumicë, shqiptarët po vazhdojnë të konsumojnë mish kancerogjen, që përcjell sëmundje të patrajtueshme në organizimin e njeriut. Afro 70% e produkteve e nënprodukteve të mishit që prodhohen në Shqipëri dhe afro 65% e mishin që tregtohet në tregun shqiptar është mish i prodhuar prej bagëtive e kafshëve të rritura me hormone, ku përbërës kryesor është një “silikon steroid”, që fryn kafshët në peshë e majmëri por edhe që u jep forcë, i quajtur “Boldenone”, i krijuar për përdorim veterinar, kryesisht i destinuar veterinarisht për trajtimin e kuajve për rritje artificiale peshe e trupi. Me këtë hormon, prodhohet mishi që hyn në Shqipëri nga importi (Brazili) dhe që shqiptarët e blejnë në treg dhe e konsumojnë në shtëpi, në “Fast-Food”, në kopshte, çerdhe, spitale, në restorante e kudo.

Provat

Ky pezullim ishte rrjedhojë e një operacioni hetimor që zgjati dy vjet nga policia federale. Sipas tyre, u gjetën prova se shitej mish i paketuar i kalbur, i disa viteve të kaluara. Industria e mishit luan një rol të rëndësishëm në ekonominë braziliane, ku eksportet kapin vlerën e më shumë se 12 miliardë dollarë në vit.

Qeveria braziliane ka bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur ndalimin total ose të pjesshëm të eksportit të mishit në vendet e tjera. President Michel Temer zhvilloi një takim urgjent në shtëpinë e tij të dielën, ku ftoi diplomatët e huaj duke iu shërbyer biftek, si një përpjekje për t’i siguruar ata se gjithçka është në rregull.

BE-ja, Kina dhe Koreja e Veriut kanë njoftuar tashmë kufizime mbi produktet e mishit që vijnë nga Brazili. Policia federale arrestoi mbi 30 persona dhe pezulloi shumë pika të cilat ishin johigjiennike dhe të paligjshme.

Falsiteti: 1 kg mish 800 lekë, një kg sallam me mish viçi 450 lekë!

Dje Qiriu.net u interesua në disa pika tregtimi mishi në Tiranë dhe Shkodër. U interesuam edhe në disa pika tregtimi produktesh e nënproduktesh mishi. Në çdo njësi tregtare mishi kishte vulën e veterinerit të bashkisë. Kishte dhe lejen e tregtimit, pra çertifikatën e shitjes për konsum njerëzor. Kudo lexuam tabelën: mish vendi i freskët, cilësi e parë, çmimi 800 lekë! Në çdo pikë tregtimi të produkteve e nënprodukteve të mishit, lexuam: sallam me mish viçi, çmimi 450 lekë!

Mjafton kaq për të kuptuar falsitetin e produkteve e të nënprodukteve të mishit, mbasi lind pyetja e natyrshme: si është e mundur, që 1 kilogram mish viçi kushton 800 lekë, ndërsa 1 kilogram sallam me mish viëi, kushton 450 lekë?!/ sotnews


 
 

Share on Facebook Share on Twitter