Muxhahidinët iranianë krijojnë struktura militare në Shqipëri

ID:20373
Published 23 Mars 2017


Kjo video është bërë në 6 mars 2017 në Tiranë, dhe tregon pritjen që iu bë nga muxhahedinët iranianë të strehuar në Shqipëri, kryetares së tyre Maryam Rajavi, e cila e quan veten Presidente të Iranit, në këmbë të burrit të saj të zhdukur që prej shumë vitesh. Tubimi është bërë në një nga vendet ku janë strehuar muxhahedinët, kampusi i një ish-universiteti privat.

Duke parë videon, veçanërisht pas minutës 1: 10 sekonda, nuk mund të mos bëhen disa pyetje. E para ndër to është se sa muxhahidinë kanë ardhur në të vërtetë në Shqipëri? Duke folur në takimin e MEK (organizatës së muxhahedinëve iranianë), Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea tha se tre vitet e fundit, pra që nga viti 2014, në Shqipëri kanë ardhur 2500 muxhahedinë. Nëse i shtojmë kësaj shifre edhe atë prej 216 vetësh të ardhur kur në pushtet ishte Berisha, atëherë duhet të jenë diçka më tepër se 2700 muxhahidinë iranianë.
Në të vërtetë, siç tregohet në këtë video, duket qartë se nuk janë 2700 por disa herë më tepër.

Televizionet shqiptare nuk raportuan për pritjen e Rajavit në Tiranë, por vetëm për festën e muxhahidinëve, në 20 mars dhe këtë gjë e bënë duke përdorur një video të ofruar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nëse shkruani në Youtube “Takimi super sekret i opozitës iraniane - Top Channel Albania - News – Lajme”, mund të shikoni videon e transmetuar nga televizionet shqiptare. Edhe sipas kësaj videoje duket qartë se janë të pranishëm më shumë se 2700 persona.

Tubimi i MEK në Tiranë ngre një pyetje tjetër shumë serioze, të cilën e kam bërë edhe në të shkuarën, pra se çfarë ka pranuar në të vërtetë Shqipëria, refugjatë të cilët sipas ligjeve ndërkombëtare heqin dorë nga veprimtaria e tyre e mëparshme politiko-ushtarake, me të fituar strehimin në një vend të tretë, apo një organizatë politiko-ushtarake? Në video shihet qartë prania e një reparti rojeje ushtarake nderi.
Sipas ligjeve në fuqi në Shqipëri, asnjë organizatë nuk mund ta ushtrojë veprimtarinë në Shqipëri, të përkohshme ose të përhershme, pa u regjistruar në Gjykatën e Tiranës sipas ligjit për OJF-të. Por ky ligj nuk parashikon krijimin e organizatave politiko-ushtarake.

Përveç këtyre kërkon një përgjigje dhe pyetja se kush i mbulon financiarisht shpenzimet e muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri. Duke nisur që nga 1 shkurti i vitit 2017, agjencia e OKB për refugjatët, UNHCR ka ndërprerë financimin e shpenzimeve të strehimit në Shqipëri të mbi 3000 muxhahidinëve iranianë të organizatës MEK. Vendimi i UNHCR erdhi pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku humbi Hillary Clinton, mbrojtësja e madhe e MEK, për shkak se paguhej nga lobby saudit në SHBA.

Nuk mund të mos vihet re fakti se UNHCR është kujdesur që vendimi të hyjë në fuqi pak ditë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë të Obamës, një tjetër mbrojtës i madh, i paguar me petrodollarë sauditë, i muxhahidinëve iranianë.
Kontraktuesve privatë shqiptarë me të cilët UNHCR ka kontrata për strehimin e muxhahidinëve, iu ka bërë të ditur se pas 1 shkurtit të këtij viti, shpenzimet do t’ i paguajë vetë organizata MEK. Është fjala për qiranë e ndërtesave ku janë strehuar muxhahidinët, pagesën e energjisë elektrike, ujit, internetit, taksave vendore për pastrim, ndriçim publik etj.

Muxhahedinët iranianë janë akuzuar në vendet ku janë strehuar se merren me veprimtari kriminale, trafik droge, armësh, qeniesh njerëzore, prodhim dhe qarkullim të monedhave të falsifikuara. Prandaj ata u dëbuan nga Iraku. Franca që ka strehuar shumë vite më parë udhëheqjen e tyre politike, po shikon mundësinë që edhe atë ta dërgojë në Shqipëri.

 
 

Share on Facebook Share on Twitter