Në Poloni muslimanët dhe çifutët nuk lejohen të presin mishin hallall

ID:20386
Published 23 Mars 2017


Për vite të tëra, askush nuk është lejuar të therë kafshë në Berlin. Autorizimi do të ishte në dispozicion vetëm sipas kushteve të rrepta. Meqë proçedura tani është ndaluar edhe në Poloni, tregtarët në Berlin duhet të shohin për furnizues të rinj - për shembull në Brandenburg.

Një javë më parë (bëhet fjalë për vitin 2013), parlamenti polak ndaloi therjen e kafshëve. Vendimi i Varshavës ka gjithashtu pasoja për shumë tregtarë të ushqimit Kosher (“hallall” sipas hebrenjve) në Berlin. “Ne jemi shumë të prekur nga vendimi,” thotë Lali Silber. Ajo dhe burri i saj shërbejnë në kompaninë e tyre “Lampari” në tregun kryesor të Berlinit në Beusselstrashe për komunitetet hebraike në të gjithë Gjermaninë, me verëra Kosher, djathë dhe produkte të qumështit, ëmbëlsira dhe mish.

Mish nga kafshët e therura nga Polonia, Franca dhe Zelanda e Re

Familja Silber deri më tani e ka blerë mishin nga një prodhues i madh në Poloni. “Tani situata është shumë e pasigurt për ne”, thotë Lali Silber. Ajo është shumë e shqetësuar. Mishi nga kafshët e therura gjithashtu mund të merret në Francë, por çmimet janë shumë më të larta se në Poloni për shkak të kostove të larta të punës. Importimi i mishit nga Izraeli është i shtrenjtë për shkak të kostove të transportit, dhe i vështirë për shkak të pengesave të mëdha burokratike. Megjithatë, “Pläzl”, biznesi i ushqimit kosher në Passauer Strashe në Sharlotenburg importon mish nga Parisi dhe Antuerpi (Belgjikë). Tregtarë të tjerë mund t’i marrin mallrat nga Zelanda e Re.

Është e ndaluar për popullin hebre të konsumojë gjak, pasi që, sipas konceptimit biblik, shpirti jeton në gjak.
Sipas rregullave dietike hebreje, mishi konsiderohet “kosher” (i përshtatshëm, i pastër) vetëm në qoftë se ai vjen nga një kafshë që është vrarë pa anestezi, me prerje fyti, dhe që është pastruar plotësisht. Kjo shkon edhe me ligjet muslimane, ku mishi i therur kështu quhet “hallall” (i lejueshëm). Në Gjermani therja është rreptësisht e ndaluar në bazë të Aktit të Mirëqenies së Kafshëve. Familjarët e komuniteteve fetare mund të aplikojnë për përjashtime, nëse ata i nënshtrohen detyrimisht fesë së tyre ku vetëm mishi që rrjedh nga kafshët e therura mund të hahet.

Përjashtimet për therjet e kafshëve

Autorizimet lëshohen shumë rrallë dhe vetëm nën kushte të rrepta. Vetëm ekspertët mund ta vrasin kafshën, dhe proçesi duhet të mbikëqyret nga Zyra Kompetente Veterinare. Sipas administratës së mbrojtjes së konsumatorit, në Berlin nuk ka më therje. Nuk ka pasur asnjë kërkesë për përjashtim për shumë vite. Në një ish-thertore në Beusselstrashe, sipas autoriteteve, therjet janë toleruar zyrtarisht deri në vitin 1997.

Ndërsa në mënyrë rigoroze besohet se kafshës nuk duhet t’i administrohet narkozë përpara se fyti i saj të pritet, çështja e anestezisë në mesin e muslimanëve është e diskutueshme. “Kafsha duhet të anestetizohet”, thotë Ender Çetin, kryetar i bashkësisë së xhamisë Sehitlik në Njukoln Kolumbiadam. “Megjithatë duhet të sigurohet se kafsha nuk vdes nga anestezia.” Muslimanët e kanë të ndaluar të hanë mish të ngordhur. Muslimanët konservatorë nga skena selefiste si Imam Pierre Vogel nga Këlni janë ngritur kundër anestezisë.

“Muslimanët në Berlin ishin të bindur se një kohë e shkurtër anestezie elektrike është në harmoni me Kuranin”, thotë zëdhënësi i Administratës për Mbrojtjen e Konsumatorit. Pra lejet për përjashtime nga ndalimi i therjes nuk ishin më të nevojshme.

Mishtoret i referohen mishit hallall nga Brandenburgu

“Polakët kanë bërë mirë me këtë ndalim,” thotë drejtori menaxhues i thertores “Hizmet” në Njukoln. Therjet pa anestezi nuk duhet të ekzistojnë sipas tij, pasi shkelin ligjin. Në bisedë me Tagesspiegel, menaxheri tha se ai e merrte mishin e tij nga Brandenburgu. Ky kryesisht furnizon industrinë ushqimore dhe supermarketet turke dhe gjermane.

Edhe mishtore të tjera hallall në Berlin po ashtu i referohen thertores së Brandenburgut, si për shembull “Kosher Deli” në Sharlotenburg. Por askush nuk e tregon emrin e kasapëve, dhe nëse kafshët anestetizohen apo jo para therjes, kjo mbetet e paqartë.

“Klientët tanë i kushtojnë shumë vëmendje faktit nëse janë respektuar apo jo të gjitha dispozitat e Ligjit të Ushqimit hebre”, thotë Lali Silber. Ndoshta ajo tani do të marrë informacion në lidhje me thertoret jashtë Berlinit për të gjetur një zëvendësues për tregtarin polak. Por mbi të gjitha, ajo shpreson se në Poloni, ashtu si në Gjermani, do të ketë përjashtime për hebrenjtë dhe muslimanët. / © Gazeta Impakt

Burimi: Tagesspiegel

 
 

Share on Facebook Share on Twitter