E merr kush seriozisht shtetin tonë?

ID:20431
Published 24 Mars 2017


Çfarë lloj shteti është Shqipëria e sotme? Çfarë përfaqëson ajo në arenën ndërkombëtare përveç ekzistencës nominale? A e merr kush seriozisht këtë lloj krijese pa formë dhe pa përmbajtje që ushtron talentin e vet për gjullurdi të vogla si prej sarhoshi që ka rënë në dy pare xhepi? Me sa duket jo dhe këtë mund të kuptosh në një politikë pa sens dhe pa kuptim, që kryqëzon çdo akt dhe çdo korrent, kondensuar natyrshëm vetëm nga parëndësia e saj. Një rast domethënës është ceremonia e vitit të ri iranian festuar sot nga opozita iraniane në Tiranë, 3000 anëtarë të së cilës strehohen prej disa kohësh në vendin tonë. Ceremoninë e kanë ndjekur si të ftuar e madje kanë mbajtur një fjalë, Pandeli Majko, ish - kryeministër dhe deputet, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, të dy politikanë të perceptuar si proamerikanë dhe Elona Gjebrea, zv.ministre e Brendshme. Qeveria shqiptare është kujdesur që të mos përfaqësohet me Ministrinë e Jashtme, titullari i së cilës, Ditmir Bushati ishte në Teheran para disa kohësh ku u diskutua rihapja e ambasadës.

“Kjo është një ditë reflektimi dhe përgjegjësie për të vazhduar luftën tonë për liri. E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së mirës është qe njerëzit të jenë të bashkuar. Atë çfarë e ka dhënë Zoti nuk mund ta marrë e keqja”, citon Top-Channel të ashtuquajturin lider republikan, Fatmir Mediu. I cili mbahet me të madh si i djathtë tradicional e flet për liri përpara anëtarëve të MEK, që kanë traditë marksiste.

Me fjalë të mira ka folur edhe zv.ministrja Gjebrea që plotësonte aty numrin, ndërkohë që iranianët i ka sherbetosur me gallatë Pandeli Majko, më i përshtatshmi edhe për rolin korrigjues ndaj efektit të deklaratave se Trump është rrezik për qytetërimin. Vetëm kjo lloj politike servile mund të shpjegojë edhe marketimin me lezet të lajmit. 

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=350959#k1

Kjo është një politikë kuturu, orientuar nga të gjitha drejtimet ndërkohë që nuk ka drejtim, pasi është e natyrshme të pyetet se cila logjikë pranon që të kërkosh përmirësim marrëdhëniesh me një vend, e mandej të strehosh opozitën e atij vendi e cila ka në program përmbysjen me dhunë? Cili është ai shtet që do të vepronte në këtë mënyrë prej kodoshi e duke mos pësuar asgjë, asnjë notë, asnjë reagim? Me siguri ose shtete shumë të fuqishme, ndaj të cilave të detyron forca, ose shtete paçavure, gjallesa politike parazitare në një sistem ndërkombëtar që toleron dhe ushqen edhe kësi formacionesh që nuk kanë përligjur njëherë të vetme seriozitetin që kërkohet. 

Është për të ardhur keq kur mbetesh pa lexim normal në këto sjellje, të cilave një pjesë e botës u ka dhënë karar: “Shqiptarët preferohen nga Perëndimi, jo për shkak të kulturës apo mungesës së saj, por sepse janë vasalët më të mirë në botë dhe u binden urdhërave pa bërë pyetje”. Kështu citohet nga agjencia MINA, me qëndrime antishqiptare, një deputet gjerman, Alexander Neu.  http://macedoniaonline.eu/content/view/31603/1/. Ndërkohë që Teherani zyrtar nuk reagon pse ndoshta e kupton rolin e larvës politike në këtë botë ku për të vegjlit si pasuri është vetë një fije dinjiteti, apo takti. E kur këto as që hyjnë në konsideratë, përcaktime si këto të deputetit gjerman nuk duken edhe aq tendencioze./ respublica

 
 

Share on Facebook Share on Twitter