Parlamenti kanadez kalon propozimin anti-Islamofobisë

ID:20434
Published 25 Mars 2017


Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve të Kanadasë, me inkurajim të fortë nga qeveria e kryeministrit Justin Trudeau, miratuan të enjten një propozim duke hapur rrugën për masa të ardhshme për të luftuar islamofobinë.

Propozimi, i cili kaloi lehtë, i kërkon qeverisë të “njohë nevojën për të shuar klimën publike të urrejtjes dhe frikës në rritje” dhe “të dënojë islamofobinë dhe të gjitha format e racizmit dhe diskriminimit sistematik fetar.”

Propozimi është jo-detyrues, por përdorimi i fjalës “anti-Islamofobisë” dhe jo i feve të tjera, çoi në protesta pro dhe kundër propozimit në disa qytete në të gjithë Kanadanë.

Ai gjithashtu nxiti më shumë se 50.000 thirrje kërcënuese telefonike dhe e-maile kundër anëtares Liberale të Parlamentit, Iqra Khalid, një muslimane që paraqiti propozimin. Policia u detyrua të ruajë zyrën e saj, ka raportuar CTV News në shkurt, një muaj para votimit të së enjtes.

Shumë prej thirrjeve dhe mesazheve ishin “urrejtje e drejtpërdrejtë, diskriminim i drejtpërdrejtë dhe kërcënime të drejtpërdrejta”, tha Khalid.

Propozimi ka kaluar për shkak se Partia Liberale ka një shumicë anëtarësh, dhe ata së bashku me Partinë e Re Demokrate, votuan për të. Por opozita zyrtare, Partia Konservatore votoi në mënyrë solide kundër tij, me vetëm dy përjashtime.

Kritikët frikësohen se mos veçimi i Islamit dhe jo i feve të tjera, si për shembull hebrenjtë apo hindutë, ishte në vetvete diskriminues, dhe fjala “Islamofobi” nuk është përkufizuar ende, dhe kjo mund të çojë në një ndikim negativ në fjalën e lirë.

Propozimi i kërkon qeverisë që të bëjë tri gjëra: të dënojë islamofobinë dhe të gjitha format e racizmit dhe diskriminimit sistematik fetar; të marrë masa kundër një valë në rritje të urrejtjes dhe frikës ndaj Islamit; dhe të drejtojë një komision që të ndërmarrë me nisma që do të zvogëlojnë racizmin dhe diskriminimin.

“Jam shumë e lumtur që vota e sotme ka treguar mbështetje pozitive për këtë lëvizje, dhe unë jam duke pritur seriozisht përfshirjen e komitetit në këtë studim,” tha Khalid, siç është raportuar nga CBC.

Votimi erdhi në të njëjtën ditë kur u publikuan rezultatet e një sondazhi të ri mbi propozimin.

Sondazhi i 1511 adultëve, i kryer më 13-17 mars, ka gjetur se 42 për qind e të anketuarve do të votonin kundër propozimit, dhe vetëm 29 për qind do të votonin pro, sipas faqes së internetit të Institutit Angus Reid.

“Tre në dhjetë thonë se propozimi është një kërcënim për lirinë e fjalës së kanadezëve dhe nuk duhet të kalojë”, njoftoi instituti. / © Gazeta Impakt

Burimi: DS

 
 

Share on Facebook Share on Twitter