Politikanët nuk janë engjëj

ID:20462
Published 25 Mars 2017


Dr. JASIR KADI

Nëse bashkësia jonë e muslimanëve do të studionte historinë islame – pra, realisht ta studiojnë, dhe jo vetëm të dëgjojnë versionet e “qëruara”, të pastruara, të përshtatura për kalamajtë dhe politikisht korrekte, që mësohen nëpër kurset fetare dhe që ngrihen që qiell nëpër hytbe – ata do ta kuptonin shumë shpejt se disa nga sulltanët, kalifët, gjeneralët dhe politikanët që kanë ndihmuar më tepër ymetin nuk ishin engjëj. Kjo është e vërtetë, sidomos për periudhën pas sahabëve.

Disa nga njerëzit më të zëshëm, që çdo musliman i di dhe që janë të famshëm për bëmat dhe betejat e tyre, e kishin jetën private ose përdornin ca taktika politike, që nuk ishin tamam ato më idealet (duke e zbutur pak si shumë!).
Një nga problemet që shoh te shumë muslimanë është se ata besojnë që çdo njeri që ndihmon Islamin duhet të jetë i kulluar si vetë Mehdiu. Megjithatë, historikisht, Omer Abdulazizët janë përjashtime, jo përgjithësime. [Sa për shembull, udhëheqësi musliman që mori nën kontroll Kostandinopojën dhe e ktheu atë në Stamboll, i këshilloi djemtë e vet, që pasi ai të vdiste, ata të vrisnin vëllezërit e tyre sa herë që të vinin në pushtet, me qëllim shmangien e luftës civile – dhe, në fakt, kjo qe një politikë standarde, që u ndoq nga ajo dinasti për shekuj me radhë!].
Politika dhe veprimtaria politike është realitet i pistë. Të rrallë janë edhe aktivistët e kulluar e të pafajshëm. Përkundrazi, është urtësi, që vjen nga njohja e historisë dhe të kuptuarit e konteksteve, që të arrish të sitësh një politikan/aktivist përgjithësisht të mirë nga një i tillë i keq.

Mbështetja e një kandidadi politik – ose e një aktivisti – nuk do të thotë të mbështetësh çdo pikëpamje të tij ose të saj. Ajo do të thotë të kuptosh se ai person, në përgjithësi, është një vlerë dhe një ndihmë për komunitetin.
Kritikët atë punë kanë, do të kritikojnë gjithmonë. Unë i këshilloj që të ofrojnë një alternativë dhe të na tregojnë një mënyrë më efikase; edhe nëse kundërshtojnë, ta bëjnë këtë me urtësi dhe dashamirësi.
Për të kritikuar njerëzit duhet gjetur koha dhe vendi i duhur dhe kur armiqtë më të këqij të Allahut janë duke sulmuar dikë që duket qartë se po bën shumë të mira, urtësia duhet të na diktojë që ne të mbështesim vëllezërit dhe motrat tona kundër armikut tonë të përbashkët.

Askush pas Profetit (paqja e Allahut qoftë me të) nuk është perfekt. Kush është duke pritur “aktivistin ideal” do të presë ashtu derisa të vdesë. Ne marrim më të mirën e asaj që kemi dhe bëjmë më të mirën e mundshme, në varësi të gjendjes, fuqisë dhe dobësisë së momentit. Në fund, suksesi ynë është veç me Allahun!/ fryte.net



 
 

Share on Facebook Share on Twitter