Juristët: Ja kur duhet të zgjidhet presidenti i ri

ID:20479
Published 26 Mars 2017


Afati i përfundimit të mandatit të parlamentit si referim për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas Konstitucionalistit Çlirim Gjata duhet të merret 18 qershori dita e zgjedhjeve parlamentare. Duke iu referuar nenit 88 të Kushtetutës, Gjata thotë se politika mund të nis procedurën për zgjedhjen e presidentit nga sot, por jo më vonë se 20 prilli.

Çlirim Gjata: Sepse është jashtë çdo lloj logjike të nisë zgjedhja e presidentit më 9 korrik kur më 24 i mbaron mandati, por do të merret si datë e mbarimit të mandatit 18 qershori, data e mbarimit të zgjedhjeve, sepse pjesa tjetër konsiderohet parlament në detyrë dhe mblidhet vetëm për seancë të jashtëzakonshme, si bie fjala për betimin e presidentit, më 24 korrik. Prandaj  mendoj se duhet të nisë në prill 60 ditë para 18 qershorit.

Por afatet kushtetuese kur duhet të nisë procedura, sipas konstitucionalistit Gjata nuk janë shumë të rëndësishme. Sipas tij në  kushtet kur jemi në periudhe zgjedhore,  e rëndësishme është që të ketë konensus dhe dialog politik, ndryshe thotë ai provokohet një krize e thellë institucionale, pasi vendi mund të futet brenda pak muajsh dy herë në zgjedhje.

Çlirim Gjata: Këtu më e rëndësishme sesa data e zgjedhjes së presidentit është zgjedhja me konsensus e tij sepse ne për fatkeqësinë tonë nuk kemi president nga populli. Mirë do ishte që të ishte me konsensus. Nga pikëpamja kushtetuese më e rëndësishme është çfarë ndodh nëse nuk arrihet të zgjidhet presidenti. Çfarë zgjedhjesh do të kemi?! Sepse mund të ndodhemi para situatës së tillë kur janë bërë zgjedhjet e 18 qershorit por nuk arrihet të zgjidhet presidenti. Do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, pa u mbledhur parlamenti i zgjedhjeve të 18 qershorit. Nga kjo Kushtetutë dalin antillogjizma të pashpjegueshme.

Një moment tjetër  që kërkon debat sipas Gjatës, është në qoftë se deri ne 24 korrik kur përfundon mandati i Bujar Nishanit , nuk është zgjedhur presidenti i ri, çdo të  ndodh?!

Çlirim Gjata: Do vazhdojë presidenti Nishani të rrijë në detyrë apo do hyjë kryetari i Kuvendit.  Kushtetuta thotë se kuvendi ngelet vakant. Por çfarë do të thotë vakant?! Ka thënë dorëheqjen, larg qoftë një president mund të vdesë në detyrë, është i pamundur fizikisht e psiqikisht e vërtetuar me vendim etj.. kjo quhet vakancë. Por kur nuk kemi asnjë nga këto raste, presidenti është në detyrë por nuk mund ta zejë kryetari i Kuvendit, do të vazhdojë të qëndrojë deri sa të vijë presidenti i ri, si kryeministri. Pavarësisht se Kushtetuta nuk e thotë në mënyrë eksplicite, qeveria vazhdon derisa të vijë qeveria tjetër.

Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri, sipas Gjatës është rast përjashtimore pasi vendi është në periudhe elektorale, dhe procesi sipas tij duhet të jetë i kujdesshëm për të mos prodhuar krizë institucionale pasi dhe mekanizmat në kushtetutë për të dhënë zgjidhje janë jo të fortë./ora news

 
 

Share on Facebook Share on Twitter