Pasojat e një vëmendje të munguar dhe studentët e dënuar

ID:20482
Published 26 Mars 2017


Nga Artan Rama

Nëse media do të raportonte rregullisht mbi zhvillimet në sallën e gjyqit, studentët që lëshuan vezët në drejtim të kryeministrit nuk do të ishin dënuar kaq lehtësisht.

Të pandehurit u shpallën fajtorë dhe dënimet u zëvendësuan me orë pune të detyrueshme në dobi të komunitetit.

Por pavarësisht se ndëshkimet janë të lehta, është simbolika që e klasifikon këtë ngjarje si jo të zakonshme dhe i jep peshë kësaj fajësie të pamerituar.

Kështu, pasojat dhe rreziqet e kësaj vëmendje të munguar mediatike, përgjumja apo çoroditja e shkaktuar prej “raportimeve opinionale”, në konkurrencë të plotë me bisedat rreth tryezave popullore nëpër kafe, nuk duhen anashkaluar.

Indiferenca dhe mospjesëmarrja gjatë seancave, përveç se një interesi spekulativ apo kureshtje e treguar vetëm për seancën e fundit, dëshmon se e drejta për të protestuar dhe për një proces gjyqësor të pavarur nuk gjejnë hapësirën dhe kuptimin e nevojshëm për t’u trajtuar nga media. Dhe kjo nuk është e vetme.

Mungesa e përfaqësuesit të Akovatit të Popullit në sallën e gjyqit, kur ky institucion e kishte denoncuar dhunën e ushtruar gjatë ndalimit të këtyre të rinjve në oborrin e fakultetit, ishte gjithashtu jo e pritshme. Pra, kombinimi i një numri ngjarjesh, shpërfilljesh apo braktisje mediatike, edhe nëse e paqëllimtë, le pas përgjegjësi dhe pasoja.

Kësisoj sot, askush nuk kërkon llogari, se përse nuk u lejuan kamerat gjatë seancës finale. Madje, si rrallë herë, nuk u lejuan as gazetarët!

E konsideruar në heshtje si një normë, askush  nuk pyet se çfarë e shtyu gjyqtarin të marrë një vendim të tillë që shkel edhe urdhërin Nr. 6777/5 “Për Marrëdhënien e Gjykatës me Publikun”?

A mund të thotë dikush se për çfarë arsye kryeministri i vendit u pranua, por më pas, pa asnjë shkak, u refuzua nga gjyqtari që të dëshmonte me cilësinë e dëshmitarit kryesor të thirrur prej palës mbrojtëse?

Sepse hermetizimi apo zhvillimi i proceseve gjyqësore të mbyllura, në kundërshtim me parimet për një gjyq të hapur, në rrethanat kur vendi është përfshirë nga një aksion total për reformimin e sistemit të drejtësisë, është një tension i panevojshëm që i rrëzon arritjet e deritanishme dhe i nxit gjyqtarët për sjellje të papërgjegjshme e tekanjoze.

Por situata me gjyqësorin dhe transparencën e tij, parashikohet akoma më e rënduar pas aplikimit  të freskët për mospublikimin (anonimizimin)  e emrave të palëve gjyqësore, nëpër procese, duke nxitur kështu, veprime juridike të ngjashme me një shoqëri totalitare.

Dhe së fundi, financuesit e mediave dhe menaxherët e emëruar prej tyre në krye të redaksive, të kuptojnë se raportimi i çështjeve publike, thjesht si konferenca të rëndomta shtypi pushtetarësh, të pavlera e në mungesë të plotë të verifikimit të fakteve apo deklaratave, janë një objektiv i gabuar.

Përgjatë këtij çerek shekulli, numri i kriminelëve, i grabitësve, i përdhunuesëve dhe i  vrasësve, në bankën e të akuzuarëve ka arritur me mijëra. Por studentët e Universitetit të Tiranës që zgjodhën një formë të veçantë proteste për të kundërshtuar politikat arsimore, ishin tetë të pandehurit e parë. Pikërisht dhe për këtë, u duhej kushtuar vemëndja e merituar.


 
 

Share on Facebook Share on Twitter