Tre vjet përplasje, Avokatja e Shtetit nën akuzë për studiot ligjore të arbitrazhit

ID:20486
Published 26 Mars 2017


Gjatë tre viteve të fundit, që prej zgjedhjes në krye të Avokaturës së Shtetit të ish gjyqtares së Kavajës, Alma Hicka, qeveria shqiptare ka harxhuar më shumë se 6 milionë euro për të kontraktuar studio të huaja ligjore për përfaqësimin e vendit në gjykata ndërkombëtare.

Por procedurat e ndjekura nga Znj. Hicka në përzgjedhjen e këtyre studiove ligjore kanë sjellë përplasje të vazhdueshme me ish ministrat e Drejtësisë, Nasip Naço dhe Ylli Manjani.

Konsulentët e huaj ligjorë janë kontraktuar për çështje që lidhen me konflikte në gjykata arbitrazhi, ku shteti shqiptar është paditur nga kompani të huaja që kërkojnë më shumë se 670 milionë euro si dëmshpërblim për shkelje të kontratave të nënshkruara ose cënim të sigurisë juridike.

Dokumentet e procedurave si dhe komunikimi midis ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit, të siguruara nga BIRN, tregojnë se në të paktën 6 procedura prokurimi të tre viteve të fundit, ministri i Drejtësisë nuk e ka miratuar përzgjedhjen e studios së huaj ligjore të bërë nga Hicka.

Ministria e Drejtësisë pretendon se procedurat e prokurimeve të Avokaturës së Shtetit bëhen në shkelje të procedurave ligjore, që e ngarkojnë Avokaturën me përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Ankesa për procedurat e prokurimit të ndjekura nga Avokatura e Shtetit nuk ka pasur vetëm ministria e Drejtësisë, por edhe studio ligjore vendase dhe të huaja, të cilat e kanë përshkruar procesin e përzgjedhjes së avokatëve si jotransparent.

E kontaktuar nga BIRN, Hicka nuk iu përgjigj një kërkesë për koment mbi procedurat që Avokatura e Shtetit kishte ndjekur gjatë tre viteve të fundit si dhe përplasjet që ajo ka pasur me dy ministrat e Drejtësisë Naço dhe Manjani.

Megjithatë, në një komunikim të mëparshëm me BIRN mbi një çështje konkrete, Hicka i pati cilësuar kontratat e lidhura me studio të ndryshme avokatie si “sekret tregtar”.

“Në rastin konkret, duke qenë se marrëdhënia jonë me këtë studio është një marrëdhënie klient-avokat, dhe elemente të kësaj marrëdhënieje duhen të mbeten sekret,” u shpreh ajo.

Përplasjet me Ministrinë

Ligji për Avokaturën e Shtetit e rendit këtë institucion nën varësinë e ministrit të Drejtësisë. Ligji përcakton gjithashtu se për çështje të rëndësishme për interesat e shtetit ose kur natyra e çështjes kërkon juristë të specializuar në fusha të veçanta, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, me miratimin e Ministrit të Drejtësisë, kontrakton avokatë ose zyra avokatie në profesion të lirë, vendase ose të huaja, që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e shtetit shqiptar.

Një nga rastet për të cilat Avokatura e Shtetit ka zgjedhur të kontraktojë një zyrë avokatie të huaj për të përfaqësuar shtetin shqiptar, ka qenë dhe rasti i apelimit të çështjes “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe s.a”  kundër Shqipërisë.

Kompania greke që njihet me emrin tregtar “Jet Oil” pati investuar në ngritjen e depozitave të naftës në portin e Durrësit në vitet 1999 – 2000. Por për shkak se këto depozita ndodheshin pranë qytetit dhe përbënin rrezik, bashkia e Durrësit kërkoi që ato të zhvendoseshin.

Kërkesa e bashkisë Durrës u mbështet në vitin 2009 nga qeveria e qendrës së djathtë të ish kryeministrit Sali Berisha, e cila me një vendim të Këshilit të Ministrave i kërkoi kompanisë greke ta zhvendoste aktivitetin e saj nga Porti i Durrësit.

Kompania greke u kundërpërgjigj me një padi arbitrazhi në vitin 2011 në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investime në Washigton, ICSID, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 43 milionë eurosh.

E asistuar nga studioja ligjore Derains&Gharavi, Shqipëria ia doli të fitojë këtë çështje në tribunal, por më 28 korrik të vitit 2015, kompania greke e apelon vendimin në ICSID. Pas apelimit të vendimit, Avokatura e Shtetit nis procedurat për përzgjedhjen e një studioje të re ligjore për të përfaqësur shtetin shqiptar në Apel.

Avokatura shmangu nga konkurrimi studion e deriatëhershme, Derains&Gharavi, e cila nuk u ftua të marrë pjesë në negociata për kontratën e re- ndërsa fituese u shpall studioja ligjore “Arnold& Poter” me një vlerë prej 480 mijë eurosh.

Letra

Letra e ish-ministrit Nasip Naço, përmes së cilës kundërshton procedurat e përzgjedhjes së studios ligjore Arnold&Poter.

Kjo procedurë prokurimi ka sjellë përplasje të forta midis ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit, pasi ministri Nasip Naço e ka gjykuar prokurimin si të paligjshëm. Debati mes Avokates së Përgjthshme të Shtetit, Alma Hicka dhe ministrit Naço ka zgjatur me muaj të tërë, ku në shkresat zyrtare, ish ministri insiston në shkelje të ligjit nga ana e Avokaturës së Shtetit.

Naço ngre gjithashtu akuza  për subjektivizëm dhe seleksionime të qëllimshme në përzgjedhjen e  firmave të huaja, pjesëmarrëse në tender.

“Ju rikujtojmë se procedura është nisur pa miratimin e  Ministrit të Drejtësisë dhe bie ndesh me ligjin,” thuhet në shkresën e datës  20 tetor 2015 të ish ministri Naço, në të cilën ai refuzon miratimin e procedurave nga Avokatura e Shtetit për kontraktimin e studios  ligjore “Arnold & Poter”.

Ish ministri i Drejtësisë ngre pikëpyetje edhe mbi kriteret e përcaktuara në ftesën për negociata, që sipas tij lejojnë një vlerësim subjektiv të kompanive të ftuara nga Avokatura e Shtetit.

“Nga vëzhgimi i vetëm disa  prej procedurave të kontraktimit konstatojmë se përdoren kritere të ndryshme  për shpërndarjen e pikëve për vlerësimin e ofertave të paraqitura. Këto procedura lënë vend për dyshime mbi respektimin e parimit të  mosdiskriminimit  e të trajtimit të barabartë, transparencës në procedurat konkurruese dhe barazinë  në trajtimin e ofertave,” thuhet në shkresën e Ministrit të Drejtësisë.

“Çështjet e ngritura tregojnë për një mangësi të theksuar në ndjekjen e rregullt  të procedurave  ligjore dhe e ngarkojnë Avokaturën e Shtetit me  përgjegjësi të drejtpërdrejtë në vonesat që shkaktohen në mbrojte,” vijon shkresa e Naços.

Pasardhësi i Naços në krye të ministrisë së Drejtësisë, Ylli Manjani ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm mbi procedurat e prokurimit të ndjekura nga Avokatura e Shtetit.

Më 30 dhjetor 2015, Avokatura e Shtetit propozon një projektvendim dhe kërkon që studioja e huaj e përzgjedhur prej saj për çështjen “Mamidoil” të  miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Megjithatë, nga ana e ministrisë së Drejtësisë edhe kjo procedurë është konsideruar si e paligjshme.

“Projektvendimi i ofruar nga ana juaj është antikushtetues, pasi projekt-akti nënligjor nuk është nxjerrë në bazë dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi,” thuhet në shkresën që mban datën 16 janar 2016 e ish ministrit Ylli Manjani.

Çështja  “Mamidoil” nuk është përplasja e vetme që Avokatja e Përgjithshme e  Shtetit, Alma Hicka ka pasur me ministrinë e Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mënyrën e përzgjedhjes së studios ligjore që do të mbrojë interesat e shtetit shqiptar në gjyqet ndërkombëtare të hapura nga biznesmeni italian, Francesco Becchetti. Avokatët e Becchetit e kanë paditur Shqipërinë në tre procese të ndryshme në arbitrazh me seli në Vjenë dhe Paris, duke kërkuar nga shteti shqiptar 400 milionë euro si dëmshpërblim.

Për t’u mbrojtur nga paditë e Becchetit, Avokatura e Shtetit ka hapur procedurat për kontraktimin e një studioje ligjore të huaj me 23 janar 2015.

Dhjetë subjekte të ndryshme u ftuan të marrin pjesë dhe komisioni i vlerësimit të ofertave në Avokaturën e Shtetit përzgjodhi si fitues studion ligjore londineze “Wragge Lawrence Graham & Co” me një çmim 2,2 milionë euro.

Komisioni vlerëson se e shpall fitues “Wragge Lawrence Graham & Co”, pasi merr përsipër të mbrojë interesat e shtetit shqiptar në dy nga tre paditë e ngritura nga Becchetti, atë në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, ICC, për llogari të kompanisë “Hydro Srl”,  dhe padinë e ngritur në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve, ICSID,  në emër të kompanisë “Albaniabeg Ambient”.

Me urdhërin 3051/33, të nxjerrë me 13 Shkurt 2015, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit Alma Hicka ka shpallur fituesin, duke vënë në dijeni dhe ministrinë e Drejtësisë, e cila edhe në këtë rast ka refuzuar ta miratojë procedurën.

Me shkresën nr. 1205/1 të datës 18 Shkurt 2015, ish Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i ka kërkuar informacion Avokaturës së Shtetit se pse në dy çështjet të ndryshme, atë të  “Albaniabeg Ambient” dhe “Hydro Srl,” studio ligjore fituese është vlerësuar në mënyra të ndryshme përsa i përket reputacionit të saj.

Për këtë procedurë prokurimi, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço kishte marrë një letër ankesë nga avokati Muhamet Gharavi i studios “Derains& Gharavi”, i cili theksonte se ishte njoftuar përmes dy emaileve për skualifikimin, pa marrë “asnjë shpjegim, provë dhe as informacion mbi fituesin”.

Në ankesë, Gharavi hidhte hije dyshimi edhe mbi procedurat e tjera të prokurimit për çështjet e arbitrazhit, të ndjekura nga Avokatura e Shtetit.

Përplasja mes ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit u anashkalua nëpërmjet procedurës së miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe  kompania londineze u kontraktua të mbrojë shtetin shqiptar kundër biznesmenit italian.

Por konflikti  për dosjen “Beccheti” nuk mbyllet me kaq.

Ministri

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri i sqaron homologut të tij të Drejtësisë Manjani kostot shtesë për studion ligjore të kontraktuar për paditë e Becchetit.

Ish ministri Manjani ka kërkuar shpjegime për një  projektvendimin  të hartuar nga ministria e Energjetikës, i cili bën fjalë për një kosto të shtuar  për llogari të studios londineze të avokatisë në vlerën e 1,9 milionë eurove. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri e justifikon  miratimin e kësaj shume shtesë me pagesat e ekspertëve që janë marrë nga studioja avokatore.

“Disa kosto shtesë janë shkaktuar edhe nga nevoja e papritur për të marrë ekspertë të caktuar,” thuhet në shkresën e përgjigjes së Gjiknurit për Manjanin.

I pyetur mbi ankesën e tij të 16 Shkurtit 2015, avokati Hamid Gharavi i tha BIRN se arsyeja e skualifikimit të studios që ai përfaqëson lidhet me denoncimin që ai u ka bërë procedurave të Avokaturës së Shtetit.

“Unë kam shprehur në mënyrë të qartë faktin se ne nuk jemi përzgjedhur në konsultime për shkak se ka pasur konflikte serioze të interesit brenda organeve të shtetit,” akuzoi ai.

Rezerva ndaj Avokaturës së Shtetit shprehin edhe përfaqësues të studiove ligjore shqiptare me histori suksesi në tribunalet ndërkombëtare. Një avokat i njohur, i cili kishte konkurruar për të përfaqësuar Shqipërinë pranë Avokaturës së Shtetit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se “deri më sot ne nuk jemi njoftuar pse nuk u vlerësuam. Çfarë kishim dhe çfarë nuk kishim në atë konkurrim”.

Sipas dokumenteve që BIRN disponon, zyra e avokatisë në fjalë është vlerësuar  me 0 pikë nga komisioni i vlerësimit, i ngritur pranë Avokaturës së Shtetit.

“Ne kërkuam me ngulm të dinim vlerësimin,  por nuk na dhanë asnjë shkak,” vijoi avokati, i cili shton se pas kësaj eksperience studioja e tij nuk e ka marrë më mundimin të konkurrojë sërish.

Pamundësia e Avokaturës së Shtetit

Konfliktet për përzgjedhjen e studiove avokatore mes Ministrit të Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit nxjerrin në pah dhe mungesën e kapaciteteve vendase për të përfaqësuar interesat e shtetit shqiptar në gjyqet ndërkombëtare të arbitrazhit.

Në praktikën e ndjekur për çështjen kundër “Bankers Petroleum,” Avokatja e Përgjithshme, Alma Hicka pranon se i mungon stafi profesional për mbuluar tribunalet ndërkombëtare.

Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN dhe kompania Bankers Petrolium janë përplasur në arbitrazh mbi kontestimin e shpenzimeve të tatueshëm të kompanisë së naftës për një vlerë 600 milionë dollarë.

Në procesin e prokurimit të një zyre avokatie ndërkombëtare për çështjen kundër Bankers Petroleum, ka pasur përsëri kundërshti midis Hickës dhe ministrit Naço.

Avokatura e Shtetit i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë të miratojë procedurën e  kontraktimit të drejtpërdrejtë  për studion amerikane “Curtis, Mallet-Prevost, Colt&Mosle LLP,” procedurë kjo që është refuzuar nga dy ministrat e drejtësisë, Naço dhe Manjani.

Avokatura e Shtetit insiston në përzgjedhjen e kësaj studioje, për arsyen se e ka të pamundur të përballojë këtë proces pasi nuk ka staf profesional.

“Përpjekjet e shumta dhe të vazhdueshme të  Avokaturës së Shtetit  për të rekrutuar  persona me kompetencën dhe ekspertizën e duhur për këtë pozicion kanë rezultuar të pasuksesshme,” thuhet në përgjigjen që Hicka i dërgon ministrit të Drejtësisë, Naço. Ky i fundit e gjen të paargumentuar kërkesën për kontraktimin e studios së huaj ligjore dhe insiston se është detyrë e Avokaturës së Shtetit të përfaqësojë  interesat e shtetit shqiptar në gjyqet ndërkombëtare.

Në letrën drejtuar ministrit, Avokatja e Përgjithshme argumenton domosdoshmërinë e kontraktimit të studios ligjore, pasi shprehet se nga 7 procese  gjyqësore që po vijojnë në tribunalet ndërkombëtare, 5 prej tyre përfaqësohen nga Avokatura e Shtetit.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në periudhën në fjalë, Avokatura e Shtetit po ndiqte vetëm dy çështje dhe të dyja rezultojnë të humbura.

Ashtu si në procedurat e tjera të kontestuara, studio ligjore amerikane Curtis, Mallet-Prevost, Colt&Mosle LLP është kontraktuar me miratim nga Këshilli i Ministrave. Kontrata  e përfaqësimit të kompanisë është me orë pune dhe sipas drejtorit të AKBN-së, Viktor Doda nuk e kalon vlerën e 870 mijë dollarëve.

Anashkalimi me VKM

Për t’i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm me ministrat e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit ndjek një rrugë aspak ortodokse për të vijuar procedurat e saj të kontraktimit të studiove ligjore.

Në çështjen e njohjes së vendimit të ekzekutimit nga Gjykata e Apelit në Romë për arbitrazhin e vitit 1993 të kompanisë “Ilira S.r.l” kundër Shqipërisë, procedura e kontraktimit të një avokati në profesion të lirë është bërë e ‘përshpejtuar.”

Miratimin e procedurës së kontraktimit, Avokatura e Shtetit nuk ia kërkon ministrit të Drejtësisë, por drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama.

Duke e argumentuar kërkesën me urgjencën që kërkonte çështja, znj. Hicka i propozon projekt-vendimin Këshillit të Ministrave,  nëpërmjet të cilit do i çelej rrugë  përzgjedhjes së  avokatit që do të mbrojë  interesat e shtetit shqiptar  kundër kompanisë “Iliria Srl.”

Propozimi i  bërë nga Avokatura e Shtetit  është quajtur përsëri  i paligjshëm nga ish- ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i cili nuk e miraton procedurën e Avokates së Shtetit.

Ministri Naço shpjegon se organi që përcakton rregullat e konkurrimit është Këshilli i Ministrave dhe jo Avokatura e Shtetit.

“Ky vendim  bie haptazi në kundërshtim me nenin 18 të ligjit nr 10018 të vitit 2008, duke  shmangur procedurën e konkurrimit dhe duke parashikuar përzgjedhjen  me procedurë të drejtpërdrejt dhe të përshpejtuar të një firme italiane,” thuhet në shkresën e Naços drejtuar  Avokates së Përgjithshme, Alma Hicka.

Për ish Ministrin e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit duhet të kishte marrë masa për kryerjen e procedurave normale, pasi  çështja kishte vite që gjykohej  në gjykatat shqiptare.

Megjithë kundërshtitë e ish Ministrit të Drejtësisë, propozimi i Avokates së Shtetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në 25 Maj 2015, komisioni i vlerësimit të ofertave në Avokaturën e Shtetit përzgjedh avokatin Marco Porreti për të ndjekur çeshtjen në gjykatat italiane me një tarifë prej 40 mijë eurosh./Marrë nga BIRN/

 
 

Share on Facebook Share on Twitter