Siria do të nisë raketa kundër Izraelit në përgjigje të sulmeve ajrore

ID:20505
Published 27 Mars 2017


Qeveria siriane ka njoftuar se do të hakmerret nëse Izraeli do të vazhdojë të kryejë sulme ajrore në territorin sirian.

Çdo sulm ajror i mëtejshëm në territorin sirian do të dënohet me forcë vdekjeprurëse dhe sulme hakmarrëse brenda tokës izraelite, thanë ata.

Sipas mesazhit të dërguar nëpërmjet ndërmjetësuesve rusë, sulmet ndaj objekteve ushtarake siriane do të kthehen me raketa Skud, nisur drejt bazave ushtarake izraelite (IDF). Nëse Izraeli sulmon infrastrukturën civile, raketat siriane do të nisen drejt portit dhe uzinës petrokimike të Haifas. Raketat do të nisen pa ndonjë njoftim paraprak, thuhet në deklaratë.

Njoftimi pasoi deklaratën e presidentit sirian Bashar al-Assad se mbrojtja e kufijve është e drejtë dhe obligim i çdo kombi.

“Përgjigja e fortë e Sirisë ndaj sulmeve të Izraelit ka ndryshuar rregullat e lojës,” tha Ambasadori sirian në OKB, Bashar al-Xhafari. Ai shtoi se përgjigja kërcënuese është “e përshtatshme dhe në përputhje me operacionin terrorist të Izraelit,” dhe se Izraeli “tani do të mendojë një milionë herë [para se të sulmojë përsëri].”

Më 17 mars, ushtria izraelite njoftoi disa sulme ajrore mbi territorin sirian; ato u ndoqën nga disa raketa kundërajrore të nisura nga avionët luftarakë izraelitë që fluturonin mbi territorin sirian. Një prej raketave thuhet se u kap nga Sistemi i Mbrojtjes nga raketat Arroë të Izraelit. Megjithatë, autoritetet siriane pohojnë se e rrëzuan me sukses një aeroplan izraelit jo shumë larg nga Damasku.

Pas incidenteve, Izraeli kërcënoi se do të kryente sulme në mënyrë specifike për të shkatërruar bateritë anti-ajrore siriane.

Sipas udhëheqjes izraelite, sulmet ajrore kanë për qëllim luftimin në të gjithë territorin sirian të kontrabandës së armëve të avancuara për Hezbollahun në Liban.

“Politika jonë është shumë e qëndrueshme”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në vazhdën e sulmeve ajrore. “Kur ne kemi dijeni në lidhje me një përpjekje për t’i kontrabanduar armë Hezbollahut, ne bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar këtë që të mos ndodhë, duke marrë parasysh që ne kemi informacion dhe aftësi të mjaftueshme për të reaguar.”

Sipas raporteve të medias, gjatë takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin, Netanjahu u zotua se do të vazhdojë përpjekjet e luftimeve kundër kontrabandimit të armëve për Hezbollahun nga Siria. Netanjahu i mohoi raportet se atij iu tha që të ndërpresë operacionet ushtarake në Siri.

Izraeli dhe Siria nuk janë angazhuar në asnjë lloj konfrontimi të rëndë ushtarak që nga lufta civile që shpërtheu në Siri gjashtë vjet më parë. Zjarret sporadike janë hedhur poshtë nga autoritetet izraelite. Ka rreth 800 raketa sovjetike Skud, të afta për të dhënë një gjysmë toni eksploziv, të vendosura në Siri. / © Gazeta Impakt

Burimi: Sputnik

 
 

Share on Facebook Share on Twitter