Protesta e opozitës mund të jetë shkaku i “vogël” i një zhvillimi të madh

ID:20517
Published 27 Mars 2017


Nga Fitim Zekthi

Që në krye të herës, përgjatë gjithë hitorisë së njeriut,  është provuar se të gjitha ngjarjet e rëndësishme apo rezultatet e rëndësishme kanë patur “shkaqe” të vogla. Në fakt ai që është dukur si shkak i vogël, si shkuarja në senat e Cezarit në një ditë kur ishte sëmurë, urdhri i Hitlerit për mareshalin Fon Paulus  për të mos u tërhequr asnjë pëllëmbë nga Stalingradi, mjegulla që mbuloi brigjet e kolonive perëndimore të SHBA-së në momentin kur forcat që luftonin kundër anglezëve u rrethuan apo edhe mungesa e dritave në qytetin Studenti që nisi protestën në vjeshtën e vitit 1990 etj etj  ka qenë miligrami uraniumit që çon në arritjen e masës kritike ose pika e ujit që bën të derdhet një enë.

Edhe çadra e protestës së opozitës e cila u duk në fillim si një lëvizje e dëshpëruar e një force të mbarur, si një protest që do të shuhej për pak ditë apo si një përpjekje për të fshehur dobësinë e thellë ndaj shumicës dhe humbjen e padiskutueshme në zgjedhje’ mund të jetë ajo ngjarja në dukje e papërfillshme që shërben si shkak për një zhvillim të rëndësishëm, mund të jetë pika që bën të rrokulliset qeveria dhe gjithë shumica.  Cila është kjo gjendje e rënduar, inerte, që pret vetëm një  shkak të vogël.

Duhet thënë se prej kohësh qeveria dhe shumica në qeveri janë përpjekur të shfaqin përpara publikut një gjendje krejt tjetër, përmes  mekanizmash  oruellianë të propagandës është mbajtur pandalur tërë e realiteti në një gjendje simulacioni e cila tregonte një kryeministër që po transformon vendin, një ministri të brendshme që po shkatërron çdo qelizë të krimit kudo dhe që po përballet me forcë me reagimin e tij i cili mbrohet politikisht nga opozita, një ekonomi që ecën mirë por që gjykatat e korruptuara dhe reaksioni i tyre dhe opozitës nuk lejojnë lulëzimin e vendeve të reja të punës apo po bllokojnë kantieret e ndërtimit.

Kjo gjendje simulacioni që mbahet në këmbë me minuta të tëra transmetimesh live në televizion të kryeministrit dhe ministrave, me ushtri nëpunësish që merren me përgatitjen e kronikave, teksteve, planeve, fotografive etj ka bërë që opozita të duket e shkatërruar, që lufton të ruajë atë që ka vjedhur dhe shumica të duket vitale, e papërkulshme dhe që herët a vonë do të nënshtrojë plotësisht çdo kundërshtar. Në fakt gjendja duket se është ndryshe dhe duke  qenë e tillë protesta shërben si pika që bën masën kritike.

Askush në Shqipëri, as kryeministri nuk e dinë sot numrin e deputetëve të shumicës. Nuk ka mundësi që të mos dihet numri i deputetëve laburistë apo konservatorë në Britani, numri i kongresmenëve demokratë apo republikanë apo numri i deputetëve të CDU-së apo SPD-së në Gjermani. Edhe në Shqipëri gjithnjë është ditur se sa ishte numri i deputetëve të shumicës së Nanos, Berishës apo edhe Metës në vitin 2001.

Sot është e pamundur të dihet numri i deputetëve të shumicës sepse gjendja hibride e demokracisë sonë është përkeqësuar shumë. Demokracitë hibride janë disa llojesh por më të këqijat janë ato në të cilat zgjedhjet nuk janë instrumente të demokracisë. Shumica e studiuesve të shkencave politike kanë besuar deri në fillim të viteve 2000 se zgjedhjet në një mënyrë ose në një tjetër ndihmojnë që demokracia të ketë përparime sa do të vogla. Pas vitit 2000 me dështimin e madh të shumë vendeve të Afrikë, Azisë juglindorte apo Amerikën e Jugut studiues të shumtë po flasin për dështimin e demokratizmit dhe rrëshqitjen më thellë në demokraci hibride.

Christopher Clapham një profesor i universitetit të Cambride-it flet për neopratimonializmin si një gjendje që sundon në mjaft vende ku problemet me demokracinë vijnë dhe rëndohen. Neopatrimonalizmi është një sistem i hierarkisë sociale ku padronët përdorin burime shtetërore me qëllim që të sigurojnë besnikërinë e klientëve që ata kanë në popullatën e gjerë. Sipas Clapham kemi të bëjmë me një marrëdhënie klient – padron që nis nga majat më të larta të strukturave të shtetit  deri poshtë tek individët në fshatra.

Neopatrimonializmi i furnizon strukturat e shtetit me njerëz që kanë lidhje me pushtetin e vërtetë, me njerëz që kanë pushtet apo akses tek dhuna.  Zyrat e pushtetit përdoren për qëllime private, njerëz që kanë akses tek dhuna ndërfuten në pushtetin politik, rrisin fuqinë dhe bëjnë të mundur që zinxhiri i besnikërisë nga shumë lart deri poshtë  të bëhet i fortë dhe i lidhur me mbajtjen në këmbë të ekonomisë mbi të cilën rri ky zinxhir.  Kjo ka ndodhur saktësisht në Shqipëri sidomos pas vitit 2013.

Njerëz me pushtet apo akses tek dhuna, njerëz me lidhje të forta politike u bënë pjesë e vendimmarrjes politike, bënë që një marrëdhënie klient- padron të zhvillohet nga majat e pushtetit deri tek individët në fshatra. Kjo gjë bëri që deputetët e shumicës të rriten në numër, bëri që lufta brenda shumicës të bëhet e egër për shkak të konkurrencës së lartë mes grupeve kryesore dhe njerëzve që kanë akses tek dhuna apo që kanë pushtet të rritur.

Kjo gjë bëri që sasia e sipëfaqes së mbjellë me drogë të rritet me tre herë në dy vitet e fundit siç tha kryeprokurori i antimafias apo numri i plantacioneve të rritet me pesë herë siç tha raporti i DASH-it. Në një sistem të tillë të hierarkisë sociale që nis nga majat më të larta të strukturave të shtetit  deri poshtë tek individët në fshatra, që ka në zë qendër të tij njerëz të fuqishëm që janë në politikë, që kanë akses tek dhuna dhe mbajnë në këmbë një zinxhir ekonomie dhe vendimmarrjesh politike  që garantojnë gjendjen ekzistuese të kësaj hierarkije është e pamundur të ketë zgjedhje.

Është e pamundur që kjo strukturë pushteti të lejojë  që një forcë politike ta rrëzojë atë. Në këtë kuptim çadra e protestës jo vetëm po tregon gjendjen e vërtetë por mund të bëjë që ajo që duket e pamundur, rrëzimi i qeverisë Rama, të bëhet realitet. Problemi i vetëm është  nëse struktura e cila është fuqizuar, rritur dhe asociuar me pushtetin e sotëm mund të përpiqet të bëjë këtë gjë edhe me PD-në./ mapo


 
 

Share on Facebook Share on Twitter