Hapja e dosjeve të Sigurimit, Shqipëria kërkon përgjigje dhe shërim - Nga AFP

ID:20530
Published 27 Mars 2017


Dyzet vjet më parë, burri i Irina Sallakut, Xhaviti, u zhduk dhe ajo kaloi dekada duke pyetur se çfarë i kishte ndodhur.

Tani, në moshën 84-vjeçare, e vetmja gjë që di është se ai u ekzekutua nga Sigurimi, policia sekrete e kohës së komunizmit, e cila terrorizoi popullsinë për dekada të tëra, deri sa u shpërbë më 1991.

Ajo shpreson që, më në fund, të gjejë disa përgjigje me hapjen e dosjeve sekrete të arkivit të madh të Sigurimit.

E lindur në Bashkimin Sovjetik, ajo u njoh me Xhavitin kur ai studionte në Leningrad dhe e ndoqi atë në Shqipëri, atë kohë kur ishte nën sundimin me grusht të hekurt të diktatorit Enver Hoxha.

Gjërat nisën të shkonin keq kur regjimi paranojak i Hoxhës i shkëputi lidhjet me Moskën më 1961, duke ushtruar presion të madh mbi çiftet e përzier si ata dhe zhdukja e mëvonshme e Xhavitit e shkatërroi familjen.

“Më internuan për 12 vjet bashkë me dy vajzat”, thotë Irina, duke treguar një fotografi të zverdhur të burrit të saj dhe dy vajzave binjake në park.

Vite më pas, njëra nga vajzat, Elena, gjeti akuzën kundër të atit në tre dokumente të lidhur me ekzekutimin. Por secili kishte datë të ndryshme, duke e bërë të pamundur të merrej vesh se cili ishte korrekt.

Ato nuk e kanë idenë se ku e kanë varrosur.

“Nuk ndiej urrejtje për askënd”, thotë Irina. “E vetmja gjë që dua është një varr ku t’i vëmë lule e ta qajmë”.

Më tepër se 25 vjet pas rënies së komunizmit, diktatura 41-vjeçare e Hoxhës dhe sekretet e saj po e helmojnë ende politikën shqiptare dhe ka shumë që besojnë se hapja e dosjeve më në fund do të kthejë fletë, duke lejuar që plagët më në fund të shërohen.

“Hapja e arkivave të policisë sekrete komuniste do të ndihmojë në çrrënjosjen e së keqes që vazhdon të helmojë shoqërinë shqiptare”, thotë shkrimtari i njohur Ismail Kadare. “Është njësoj si heqja e një infeksioni, procedurë e dhimbshme, por e domosdoshme”.

Sigurimi ishte një mjet i fuqishëm në duart e Hoxhës, i cili, deri sa vdiq, më 1985, shtypi gjithë opozitën dhe disidencën anti-komuniste, duke e mbajtur vendin me tre milionë banorë të izoluar nga bota.

Deri në shembjen e komunizmit më 1991, mbi 100 mijë njerëz u internuan, 20 mijë të tjerë u burgosën dhe gjashtë mijë të tjerë vdiqën ose u zhdukën.

Burime jozyrtare besojnë se rreth 20 për qind e shqiptarëve bashkëpunonin me Sigurimin, duke informuar për veprimtari “të dyshimta” të miqve, fqinjëve, kolegëve e madje edhe të anëtarëve të familjes.

Zbulimet perëndimore vlerësojnë se deri në 10 mijë njerëz punuan për to gjatë periudhës komuniste.

“Arkivat e diktaturës përmbajnë sekrete të dhimbshëm për shumë shqiptarë”, thotë Gentiana Sula, gjyshi i së cilës vdiq në burg. Tani ajo kryeson komisionin përgjegjës për hapjen e dosjeve.

Vlerësimet fillestare thonë se janë “miliona faqe dokumente, mbi 120 mijë dosje dhe 250 mijë regjistrime”.

Më 2015, parlamenti kaloi ligjin për hapjen e arkivave të Sigurimit dhe në dhjetorin e shkuar u ngrit një autoritet i pavarur për të ndihmuar këdo që kërkonte informacion rreth përvojave të tyre apo fatin e të dashurve të tyre.

Qëllimi kryesor i hapjes së dosjeve është për t’u siguruar që asnjë bashkëpunëtor i Sigurimit të mos mund të kryejë funksione publike.

Por një tjetër objektiv kyç është për të sjellë transparencë në skenën plot sherre të politikës shqiptare, ku akuzat për bashkëpunëtorë apo informatorë të Sigurimit janë armë të fuqishme që përdoren çdo javë, në shtyp apo në replikat parlamentare.

Ndonëse rastet e provuara janë shumë të rralla – në 26 vjet, vetëm dy politikanë e kanë pranuar - disa figura më pak të njohura janë tërhequr pa u ndjerë nga jeta publike, pasi janë përfolur nga zëra të tillë.

Mes zhurmave e spekulimeve, manipulimi i kësaj çështjeve “ka furnizuar imoralitetin politik, i cili, për vite e ka mbajtur peng politikën dhe shoqërinë shqiptare”, thoshte më 2008 Kadaré.

Rreth dhjetë vjet më pas, gjërat kanë nisur të ndryshojnë, pavarësisht kundërshtimeve të forta, thotë Aleksandër Çipa, president i Unionit të Gazetarëve, duke vënë në dukje se një pjesë e klasës politike “mban mbi supe peshën e mëkateve të së shkuarës”.

Deri tani, manipulimi nga politika dhe publiku është kaq i madh, sa që ka qenë e vështirë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.

Por për Sulën, dokumentet e arkivave do t’i japin fund gjithçkaje.

“Hapja e atyre dosjeve do t’i japë fund gjithë këtij spekulimi”, thotë.

Marrë nga AFP - Përgatiti: SYRI.net

 
 

Share on Facebook Share on Twitter