Opozita del me deklaratë të përbashkët: Nuk regjistrohemi në KQZ. Vetëm qeveri teknike

ID:20535
Published 27 Mars 2017


Koalicioni opozita ka dalë me një deklaratë për median është shprehur se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira është krijimi i një qeveri teknike me mbështetje të gjerë.


Deklarata e plotë e koalicionit opozitar:

Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt:

se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë  e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.

Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falenderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive, dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme.

Gazeta Impakt 

 
 

Share on Facebook Share on Twitter